Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Rezultatet konfirmuan epërsinë e partisë në pushtet, megjithëse sondazhet i kishin dhënë një diferencë shumë më të ngushtë fitoreje prej katër pikësh.
I veshur me një pulovër gri, në prani të kryeministres Ana Brnabiç dhe liderit kontrovers serb të Bosnjës Milorad Dodik, Vuçiç deklaroi se Serbia e tij nuk duhet të ndalet.
Vuçiç lajmëroi se kishin siguruar 128 mandate në Asamblenë Kombëtare prej 250 vendesh. Për shkak të kandidimit me dy lista të ndara shqiptarët në Luginën e Preshevës kanë mundur të sigurojnë vetëm një mandat në këto zgjedhje.
Sipas të dhënave paraprake Shaip Kamberi ka fituar mbi 11,500 vota, të mjaftueshme për një mandat në Kuvendin e Serbisë. Ndërsa Alternativa Demokratike Shqiptare e Shqiprim Arifit ka marrë vetëm 1,250 vota. Pjesëmarrja në këto votime ishte rreth 56%, më e lartë se në zgjedhjet e kaluara.