Zgjedhjet presidenciale në Rusi kanë vetëm një kandidat fitues, Vladimir Putin. Qendrat e para të votimit u hapën në Lindjen e Largët të Rusisë, ndërsa votuesit do t’i hedhin votat e tyre në gati 100.000 qendra votimi në datat 15-17 mars. Zgjedhjet do të mbahen edhe në rajonet e Ukrainës të cilat Moska i aneksoi.
Ai do ta zgjasë sundimin e tij për edhe gjashtë vjet të tjera, pasi secili kundërshtar i tij serioz s’u lejua të garojë kundër tij nga Kremlini. Zgjedhjet, të cilat nuk pritet të jenë as të lira e as të drejta, janë të parat që mbahen në Rusi prej se Putini e nisi agresionin në Ukrainë, në shkurt 2022.
Putin i cili ka qenë president dhe kryeministër për 25 vite, po garon kundër tre politikanëve pak të njohur liderit të Partisë Liberal-Demokratike, Leonid Slutsky, nënkryetarit të Dumes Shtetërore Vladislav Davankov nga Partia e Re e Popullit, si dhe kundër ligjvënësit të Dumes së Shtetit Nokolai Kharitonov nga Partia Komuniste. Por në Rusi, sipas sondazheve dhe intervistave me burime të larta ruse, lufta e ka ndihmuar Putinin të forcojë kontrollin mbi pushtetin dhe të rrisë popullaritetin e tij me rusët.
E veja e liderit të opozitës ruse të ndjerë së fundmi, Alexei Navalny , u bëri thirrje mbështetësve që të dalin masivisht në qendrat e votimit në mesditën e së dielës, 17 mars, si një nderim për bashkëshortin e saj të ndjerë.
BE dhe NATO i kanë cilësuar zgjedhjet presidenciale të Rusisë as të lira dhe as të drejta.