Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore në 14 komuna në Mal të Zi, tregojnë për një fitore të forcave politike pro-ruse dhe pro-serbe, të cilat i fituan edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.
Pavarësisht se koalicioni i mbledhur rreth Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç fitoi më shumë vota, megjithatë “Fronti Demokratik”, “Demokratët” dhe partia e sapo themeluar “Evropa Tani”, në një koalicion të mundshëm mund të ushtrojnë pushtetin në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricën.
Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik (CDT) edhe pse partia pro-evropiane e presidentit Gjukanoviç fitoi më së shumti mandate në disa qytete, për shkak të mungesës së koalicioneve të mundshme pas zgjedhor, pushtetet vendore do të formohen nga kundërshtarët e tyre politikë.