Kur kanë mbetur vetëm 2 muaj nga zgjedhjet vendore të 14 majit, kryeministri Edi Rama mblodhi ditën e sotme Kryesinë e Partisë Socialiste. Kreu i qeverisë bëri të ditur se ende nuk do të dalë me emra konkretë për kandidatët që do të garojnë nën siglën e PS-së në zgjedhjet vendore. Ai u shpreh se në fund të muajit do të bëhet regjistrimi i kandidatëve dhe listave për këshilltarët. Në mbledhje është diskutuar për aspektin programatik të fushatës dhe specifikat e zonave të ndryshme.
Në lidhje me garën e 14 majit, Rama i ka konsideruar sërish konkurrentët e tij si të padenjë për të qenë përballë Partisë Socialiste dhe se është i bindur se do të fitojnë bindshëm.
I pyetur nga gazetarët nëse rritja e pagës minimale dhe planin për të rritur pensionet Rama u shpreh:
‘Nga muaji prill paga minimale do të jetë 40 mijë lekë dhe do të jemi njëlloj si rajoni. Nuk kemi nevojë të rrisim pagat dhe pensionet për të fituar zgjedhjet, kundërshtarët janë nën pritshmërinë tona. Ne kemi sqaruar se si fillim duhet të mbledhim taksën e jashtëzakonshme që do të nis të mblidhet në muajin maj dhe më pas do të shihet se cilat kategori do të kenë më shumë nevojë për përkrahje dhe do bëhet edhe dedikimi për pensionistët’, u shpreh ai.
Rama nuk ka lënë pa komentuar edhe deklaratën e Ahmetajt që kryeministri duhet të bëjë rolin që i takon dhe jo gjykatësin. Kryeministri i ka nisur atij edhe një mesazh të nënkuptuar:
‘Nëse unë do kisha bërë rolin e gjykatësit do ishte keq për ata që duan që unë të bëj gjykatësin’, e mbylli Rama deklaratën e tij.