Mediat zviceriane kanë bërë një dokumentar ku bëjnë me dije se Dick Marty është kërcënuar me vdekje për më shumë se dy vjet dhe për këtë arsye është marrë në mbrojtje nga policia.
Ka qenë TempsPresent, një emision zviceran i cili publikoi përgjimet e bisedës së një agjenti të dyfishtë të quajtur Sony, me një kriminel serb me inicialin K. që synonte eliminimin e Dick Martit në vitin 2020.
Vrasësi K:“Mirë që është arrestuar Hashim Thaçi. Por nuk jam i sigurt se do të dënohet (…) po e mbrojnë amerikanët. Kosovarët kanë probleme për shkak të Dick Marty-it. Nëse ai vritet, të gjithë do të besoni se goditja erdhi nga Thaçi dhe gjykata nuk do të mund ta lirojë më atë”.
Agjenti Sony: “Nuk është e lehtë të vrasësh një politikan në Zvicër”
Vrasësi K:
“Jo, është lojë fëmijësh, armët i kam sjellë tashmë në Zvicër. Atentati do të bëhet së shpejti”.
Referuar të njëjtit burim, ata që do të kryenin vrasjen ishin nën urdhrat e disa elementëve të shërbimeve të inteligjencës dhe madje të trajnuar prej tyre.
Emisioni TempsPresent ishte në gjendje të identifikonte të dyshuarit përgjegjës për eliminimin e Dick Marty. Ata janë nga qyteti i Nishit, në jug të Serbisë. Është veçanërisht K, një veteran i ushtrisë serbe, A, një drejtues grupi që do të ishte pranë shërbimeve të inteligjencës dhe D, gjithashtu veteran i ushtrisë serbe, i specializuar në atentat pa lënë gjurmë. Vendndodhja e këtyre personave nuk është arritur të zbulohet.
Dick Marty është një personazh shumë i njohur në Shqipëri. Ai krijoi raportin “e famshëm”, për trafikun e organeve në Kosovë që fajësonte Hashim Thaçin.
Pas këtij lajmi ai ka reaguar duke thënë se qëllimi nuk ishte në të vërtetë të vrisnin, por të fajësoheshin kosovarët për atentatin e mundshëm ndaj tij.