Teksa kulloste në natyrë, një kalë është qëlluar me armë zjarri në një fermë. Ngjarja ka ndodhur në Ersekë, në zonën e Shelegurit. Pronarja e fermës “Farma Sotira Agroturizëm”, Jonida Hëna e ka konsideruar si një ngjarje të qëllimshme, duke kërkuar që organet e drejtësisë të zbardhin se kush janë autorët.
“Kalin tonë Balashin, e vranë ne zonen e Shelegurit me çifte persona që nuk e dinë çfarë është dashuria për kafshët, dhimbja për ne është e pa imagjinueshme. Kemi vite që me shumë sakrifica, me shpirt nëpër dhëmbë, mundohemi ta zhvillojmë turizmin, të sjellim mijëra miq në këtë zonë të bukur por dhe pothuajse të braktisur.
Me qëllimin e vetëm për të ndërtuar një jetë për familjen tonë dhe për të frenuar sadopak shpopullimin e këtyre vendeve të mrekullueshme.
Po bëhet çdo ditë dhe më e vështirë por ne nuk dorëzohemi kurrë.
I lutemi organeve përkatëse ta zbardhin dhe dënojnë ngjarjen, por edhe juve miq tna bashkoheni, sepse kjo ngjarje kërkon dënim dhe nga opinioni publik”, shkruhet në faqen zyrtare të fermës.
Më pas në një deklaratë për mediat, Hëna tha kali ishte një pjesëtar i familjes së tyre.
“Na është hequr një pjesëtar që e kishim së të familjes sonë. Menduam se ishte aksidentale. Por kur shkuam dhe e pamë dyshojmë se është e qëllimshme. Ne kemi rreth 20 kuaj që i përdorim. Rasti i parë që ndodh në këtë zonë dhe ishte i papranueshëm. Nuk mendoj se janë gjuetar, kali jonë nuk ka qenë vetëm, janë gjuajtur vetëm dy kuajt tanë.’- u shpreh ajo.