Mbrojtësi i Panamasë, Gilberto Hernandez humbi jetën pasi u qëllua me armë zjarri në qytetin e Colon. Lojtari 26-vjeçar ishte pjesë e Club Atletico Independiente, ndërsa me Kombëtaren luajti në dy ndeshje.
Për herë të fundit në fushë ai ishte më 23 gusht në takimin që Atletico Indipendente fitoi me rezultatin 3-1 kundër Real Esteli në Kupën e Amerikës Qendrore.
Sipas policisë, Hernandez ishte me miqtë në një rrugë në qendër të Colonit kur keqbërësit hapën zjarr nga një taksi. Përveç futbollistit, u plagosën edhe shtatë persona të tjerë. Agjentët vunë në pranga një person në lidhje me ngjarjen.
Federata Panameze e Futbollit shprehu keqardhjen për humbjen e lojtarit, ndërsa i shprehu ngushëllimet familjes.
Në provincën e Kolonit me popullsi 300 mijë banorë, në vitin e shkuar pati 102 vrasje, nëntë më pak se sa në 2021. Shkak i dhunës janë përplasjet mes grupeve kriminale të trafikut të drogës që luftojnë për territor.