Forcat turke kanë vrarë liderin e dyshuar të Shtetit Islamik në Siri. Lajmin e ka bërë të ditur presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Erdogan tha se udhëheqësi i ISIS ishte “neutralizuar” në një operacion të agjencisë turke të inteligjencës ditën e shtunë.
“Ne do të vazhdojmë luftën tonë me organizatat terroriste pa asnjë diskriminim,” shtoi ai, duke mos dhënë detaje të mëtejshme.
Abu Hussein al-Qurayshi mori drejtimin e grupit pasi paraardhësi i tij u vra vjeshtën e kaluar. Burimet siriane të cituara nga agjencia e lajmeve Reuters thanë se operacioni u zhvillua në qytetin verior të Jandaris, afër kufirit turk. ISIS edhe pse mbetet një organizatë terroriste në reduktim të vazhdueshëm, sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara ajo është një kërcënim i vazhdueshëm për botën.