Erion Alibej ka “qepur” gojën para Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar në lidhje me vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Procesi këtë të martë zhvillohej për këtë të fundit, i cili u gjet i masakruar me thikë pranë varrezave të qytetit të Elbasanit në 2020. Alibej ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit dhe të pandehurit, teksa i pyetur nga Gjykata ai për herë të dytë tha se do të fliste, por në një moment tjetër.
“Jam i gatshëm të flas, por në një moment të dytë. Më ka ndodhur një problem familjar”.
Gjyqtarja i kujtoi të pandehurit se të njëjtin qëndrim ka mbajtur disa muaj më parë, por Alibej insistoi, se halli familjar sapo i kishte ndodhur. Kërkesa e tij u pranua edhe nga prokurori që i tha gjykatës që ti jepej mundësia të dëshmonte në një moment tjetër. Përveç kësaj, në GJKKO, dhanë deklarimet e tyre edhe dy dëshmitarë që kontaktuan të parët trupin e pajetë të Regis Runajt. Latif e Mariglen Daka babë e bir, thanë se ishte djali i pari që kishte konstatuar trupin dhe lajmëruar të atin, ndërsa ky i fundit ishte rikthyer me Mariglenin dhe pasi panë trupin, njoftuan policinë.