Prokuroria e Posaçme, SPAK ka dhënë pretencën për të akuzuarit për vrasjen e babë e bir Gentian e Nezir Beqirit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2012 në Elbasan.
SPAK ka kërkuar burg përjetë për Ardian Çapjan dhe Olsi Lekun. Ndërkohë 25 vjet burg janë kërkuar për Florenc Çapjan, nga 20 vjet për Klajdi Dokolin dhe Etien Canin. Për Ervis Bardhin, SPAK kërkon vetëm 6 vite burg.
Ardian Çapja ra në prangat e policisë gjatë operacionit “Krasta 2021”, për vrasjen e babë e bir në vitin 2012 në Elbasan. Në kërkim për të njëjtën ngjarje është edhe Florenc Çapja. Ky i fundit akuzohet edhe si porositësi dhe organizatori i eliminimit të Gentian e Nezir Beqiri, pasojë e një sage hakmarrjesh në Elbasan.
Hetimet për këtë ngjarje që trazoi Elbasanin u rihapën në vitin 2018 pas provave të reja dhe dëshmisë së Ervis Bardhit, i konsideruar si qitësi që vrau Gentian Beqirin në apartamentin e tij.
Dëshmia e këtij të fundit u konsiderua e besueshme nga Prokuroria ku edhe tregoi se ka marrë 50 mijë euro për vrasjen nga porositësit. Edhe pse Ervis Bardhi, ka një akuzë të rëndë për vrasje, pasi u bë bashkëpunëtor i drejtësisë është “falur” nga SPAK, që për të kërkon vetëm 6 vite burg.