Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë për BBC Newsnight, ka folur për situatën e fundit në veri. Ajo ka thënë se e gjithë kjo situatë ka ardhur si rezultat i përgatitjeve nga Serbia e ndihmuar dhe nxitur nga Rusia.
“Ka pasur përgatitje nga Serbia, e ndihmuar dhe nxitur nga Rusia për një kohë të gjatë për të tentuar përshkallëzimin e Ballkanit Perëndimor, e në veçanti të Kosovës. Vuçiq në muajt e fundit i ka dhënë mbështetje strukturave ilegale në veri të Kosovës, të cilat përbëhen nga bandat kriminale. Nëpërmjet tyre dhe duke i manipuluar ata janë duke e mbajtur pakicën serbe që jeton në Kosovë, peng të këtyre politikave të gabuara”, ka thënë Osmani.
Osmani ka theksuar se Kosova nuk ka kontribuar dhe nuk do të kontribuojë asnjëherë në përshkallëzim apo dhunë.
“Por ne duhet të kuptojmë se jetojmë afër një fqinji që kontrollohet plotësisht nga Rusia. Nuk janë akuzat tona ato që përshkallëzojnë situatën, janë veprimet e tyre që përshkallëzojnë situatën dhe po krijojnë tensione. Nëse e themi të vërtetën për synimet e Rusisë dhe Serbisë, kjo nuk do të ndikojë negativisht”, tha presidentja.
Duke folur për çështjen e dialogut, Osmani tha se “Kosova gjithmonë ka qenë palë konstruktive, për dallim nga Serbia që ka bërë të kundërtën”.
Presidentja e vendit shtoi se Serbia po bën marrëveshje armësh dhe gazi me Rusinë, në një kohë kur pjesa tjetër e Evropës po vendos sanksione ndaj Rusisë.
“Të dyja këto janë të interesuara për të rikthyer tensionet në rajonin tonë, ne nuk do ta lejojmë këtë, nuk do të biem pre e këtyre provokimeve, nuk do të nxisim këto provokime, dhe do të punojmë me partnerët tonë që kjo të mos ndodh”, tha Osmani.
E pyetur nga gazetarja e BBC se cili është mesazhi i saj për presidentin rus, Vladimir Putin, Osmani u përgjigj “Ai do të dështojë në Ukrainë dhe do të dështoj absolutisht në qëllimet e tij kur bëhet fjalë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor përmes satelitit të tij, Serbisë”.