Në konferencën e përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç u shpreh se dy vendet do të vazhdojnë bashkëpunimin. Duke vënë theksin te procesi i Berlinit, ai tha se duhet të bashkëpunojnë në mbrojtje të interesave të Malit të Zi.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama tha se Ballkani i Hapur e përmbushi misionin e tij, ndërsa nuk la pa shigjetuar edhe kryeministrin Kurti, pasi ky i fundit nuk e priti në takim ditën e djeshme.
“E njihni Oso Kukën ju në Mal të Zi? Apo jo? Nuk mund të jetojmë me Oso Kukën kur jemi në kohën e inteligjencës artificiale. Aq shumë kemi vrapuar duke gjëmuar bishtin tonë dhe të vazhdojmë t’i këndojmë kullave të ngujimit më duket e rrezikshme dhe e kotë. Të rrezikojmë të sakrifikojmë jetë njerëzish për histori absurde, është e papranueshme. Shikoni Malin e Zi është sot një vend ku ka qetësi dhe paqe të brendshme. Kemi kaq kohë që zihemi i kujt është heroi. E patë u bllokua një shtet 18 vjet se duhet t’i gjenim babain, se nënën ia njihnim Aleksandrit të Madh. Vazhdo Dritan se po vazhdoj dhe po prishemi me ndonjë shtet tjetër”, – u shpreh kryeministri ynë.
Ndërsa Dritan Abazoviç, vazhdoi më tej: “Ne sot tregojmë që duam të avancojmë bashkëpunimin dhe komunikimin tonë të ndërsjellë dhe ka mbrojtje interesash të Malit të Zi. Unë nuk jam avokat i idesë që të mos ketë mbështetje”.
“Unë direkt e dhashë përgjigjen, po ju e doni o brenda o jashtë. Nuk është kompani që e kam hapur unë. Ballkani i Hapur nuk është asnjë kamion që u nisëm dhe tani po e lëmë në rrugë se kapëm një tren. Ka 72 nisma të tjera në këtë rajon, sa më shumë t’i numërosh, aq më shumë të vjen të ikësh me vrap. Por merren me Ballkanin e Hapur, u hap apo u mbyll. Unë them që duhet të fokusohemi te procesi i Berlinit”, – tha Rama përsa i përket Ballkanit të Hapur.
Përsa i përket mundësisë së takimin e homologun Kurti, Rama u shpreh kështu: “Me Glaukun kam kaluar mirë sa nuk mund të ankohem për lëndim. Unë nga takimi dola pozitiv. Se përse ai tha gjëra të tjera jashtë dhe të tjera brenda duhet të pyesni Glaukun. Unë kam bërë çmos deri në minutën e fundit të takohem me kryeministrin e Kosovës. Ai është në një tjetër botë në këtë moment, nuk është në botën time dhe e respektoj. Unë thjesht mendoj që kjo bota ku jam unë është më e madhe, janë të gjithë partnerët dhe Albini është shkëputur. Por respekt, secili duhet respektuar në hallin ku është. Sa i përket takimit të Tiranës unë kam për detyrë ta ftoj dhe jo ta sjell. E përfytyroni ta marr unë me zor Albinin në Tiranë se çfarë bëhet? Takim kryeministrash pa kryeministrin e Kosovës në Tiranë nuk ka, por nuk e përjashtoj që mund të mos vijë”.