Sektori bankar konfirmoi një cikël pozitiv dhe një reagim të mirë ndaj zhvillimeve makroekonomike sfiduese edhe në vitin 2023. Kreditë dhe depozitat u rritën, ndërsa raporti i kredive me probleme pësoi përsëri rënie, pavarësisht ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe normave më të larta të interesit. Rritja e normave të interesit dhe përmirësimi i cilësisë së aktiveve rritën përfitueshmërinë, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të kapitalizimit. Kanalet dixhitale po përdoren gjithnjë e më shumë nga klientët e sektorit.
Viti i kaluar pritej të ishte përsëri delikat për sektorin bankar, sidomos për shkak të efekteve të mundshme të rritjes së normave të interesit dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike. Por, efektet e këtyre zhvillimeve rezultuan të ishin shumë më të dobëta nga sa pritej.
Depozitat, kredia dhe totali i aktiveve vazhduan rritjen, ndërsa raporti i kredive me probleme u ul më tej në një nivel të ri minimal, që prej vitit 2008.
Performanca relativisht e mirë e ekonomisë në raport me mjedisin e përgjithshëm global luajti sigurisht një rol të rëndësishëm, të mbështetur sidomos nga një cikël pozitiv në turizëm, shërbime dhe pasuritë e paluajtshme.
Efektet e rritjes së normave të interesit ishin kryesisht pozitive, duke rritur të ardhurat neto nga interesat. Forcimi i Lekut ndihmoi në ruajtjen e aftësisë paguese të huamarrësve dhe në mbajtjen e normave më të ulëta të interesit për monedhën vendase, faktor që më tej ndikoi në një rritje të fortë të kredisë së re.
Një zhvillim shumë i rëndësishëm i vitit të kaluar ishte zhvendosja e mëtejshme e shërbimeve bankare drejt kanaleve dixhitale.
Tashmë, pjesa më e madhe e transfertave bankare kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike. Në aspektin më të dukshëm, ky është një tregues i modernizimit të tregut dhe i rritjes së shpejtësisë dhe komoditetit në marrjen e shërbimeve bankare për publikun.
Por, dixhitalizimi është i rëndësishëm edhe për optimizimin e kostove dhe shfrytëzimin më të mirë të burimeve njerëzore, në një moment kur largimi i profesionistëve është bërë një problem edhe në tregun financiar.
Burimet njerëzore po përdoren gjithnjë e më pak për procese bazë, si arkëtimi i pagesave apo kryerja e transfertave dhe gjithnjë e më shumë për shërbime më të specializuara, sidomos të lidhura me këshillimin dhe forcimin e marrëdhënies me klientët.
Marrëdhënia me bankën, më dixhitale
Veprimet nëpërmjet kanaleve elektronike dominuan strukturën e transfertave bankare për të dytin vit radhazi në 2023.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 13.4 milionë transferta kreditimi të kryera nga klientët e sektorit bankar, më shumë se 57% e tyre, ose rreth 7.7 milionë veprime në total, u kryen në formë jo-letër.
Transfertat në formë jo-letër përfshijnë transferta që kryhen pa praninë fizike të klientit në bankë, nëpërmjet shërbimeve të internet banking dhe mobile banking.
Krahasuar me një vit më parë, klientët e sektorit bankar e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22.1%, ose me 1.4 milionë veprime më shumë.
Pesha e tyre specifike është rritur me ritme të shpejta në vitet e fundit. Në vitin 2018, pagesat në formë jo-letër përbënin më pak se 34% të totalit, ndërsa brenda pesë viteve, pesha e tyre ka arritur në më shumë se 57%.
Pjesa e veprimeve dixhitale është rritur dukshëm edhe në vlerë. Vitin e kaluar, vlera e transfertave bankare të ekzekutuara në formë jo-letër përbënte 34% të totalit, nga rreth 21% që zinte në vitin 2018.
Në vitin 2023, transaksionet me para fizike të kryera nga klientët në sportelet e bankave pësuan rënie jo vetëm në peshë specifike ndaj totalit të transaksioneve, por edhe në vlerë absolute. Veprimet cash në banka ranë me 2.1% në numër dhe 0.2% në vlerë, krahasuar me vitin 2022.
Përdorimi i kanaleve online kursen kohë dhe është një zhvillim i rëndësishëm për shmangien e radhëve të klientëve në sportelet e bankave, duke i shfrytëzuar këto sportele vetëm për marrjen e atyre shërbimeve dhe produkteve ku prania fizike është vërtet e domosdoshme.
Në fund të vitit 2023, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në pothuajse 1.1 milionë, në rritje vjetore me pothuajse 25%.
Vlerësohet se tashmë 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 28.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2022.
Më shumë se 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin u takojnë individëve. Megjithatë, rritja më e madhe e llogarive të lidhura me internetin vitin e kaluar u shënua në segmentin e bizneseve, me 25% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Për çdo individ apo subjekt që zotëron një llogari bankare, pjesa dërrmuese e pagesave dhe transfertave mund të kryhet nëpërmjet internetit, pa qenë më nevoja për të shkuar fizikisht në bankë.
Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është lehtësuar edhe nga Banka e Shqipërisë. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.
Për shumat më të mëdha, transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave.
E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në Euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jenë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.
Aktualisht, të gjitha bankat tregtare në Shqipëri ofrojnë shërbimet e bankingut në distancë. Kjo nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave dhe marrjen e shërbimeve të tjera, pa qenë nevoja për të shkuar domosdoshmërisht në degë.
Dixhitalizimi i shërbimeve bankare është një nga arsyet që kanë sjellë edhe rënie të numrit të degëve të bankave në vitet e fundit.
Përditësimi i legjislacionit për identifikimin dhe nënshkrimin elektronik pritet të shtojë numrin e shërbimeve dhe produkteve bankare që do të mund të ofrohen në distancë.