Dogana në Bullgari ka konfiskuar një sasi rreth 170 kilogramë drogë të llojit kokainë, që po transportoheshin me anije përmes një dërgese me banane nga Ekuadori më 26 mars.
Prokurori i qarkut, Georgi Chinev, tregoi se kjo sasi droge kishte bërë një ndalesë në Maltë e në total vlera e konfiskuar arrinte në 6.2 milionë euro.
Drejtoresha e agjencisë së doganave, Petya Bankova, tha se ky është konfiskimi më i madh që ka ndodhur në portin e Burgasit.
Kokaina ishte fshehur në 150 paketime që ishin vendosur prapa një muri të ndërtuar në njërin prej kontejnerëve me banane.
Anija u largua nga porti pasi shkarkoi mallrat.
Autoritetet bullgare kanë nisur një hetim për pranuesit e dyshuar të kokainës, të cilët mund të përballen deri me 20 vjet burgim nëse gjenden fajtorë për trafikim të drogës.