Bilanci i të vdekurve nga sulmi terrorist në sallën e koncerteve në Moskë ka arritur në 140 ndërsa rreth 100 persona rezultojnë të zhdukur.
Komiteti hetimor tha në një deklaratë se deri më tani janë identifikuar 84 trupa. Katër nga 76 personat që ndodhen në spital janë në gjendje kritike. Ministria e Mbrojtjes Civile, Emergjencave dhe Fatkeqësive, përfundoi pastrimin e rrënojave në sallën e koncerteve, teksa u raportua se kërkimet për trupa të tjerë kanë përfunduar.
Shumë prej viktimave besohet se kanë vdekur si pasojë e asfiksimit pasi terroristët i vunë flakën ndërtesës, gjë që shkaktoi edhe shembjen e çatisë. Zjarri dhe shembja e çatisë bëri që trupat e disa viktimave të karbonizoheshin. Pas sulmit, disa rusë u përpoqën të gjurmonin të afërmit e zhdukur përmes mediave sociale.
Gjatë kësaj jave, disa punëtorë të kompleksit ku ndodhi sulmi, me origjinë nga Uzbekistani dhe Taxhikistani u morën në pyetje nga autoritet në Moskë. Policia e Taxhikistanit gjithashtu ka marrë në pyetje familjarët e katër personave që po akuzohen se kanë kryer sulmin.
Në fillim të kësaj jave zyrtarë të lartë rusë të afërt me Vladimir Putin dhanë indikacionet se pas sulmit qëndron Ukraina dhe perëndimi por pa prova. Shefi i Inteligjencës së Ukrainës Kyrylo Budanov ka bërë të ditur se Rusia e dinte paraprakisht për përgatitjen e një operacioni terrorist në territorin e saj dhe kishte marrë paralajmërime, jo vetëm nga SHBA, por edhe nga shërbime të tjera të inteligjencës. Retorika rreth përfshirjes së dyshuar të Ukrainës dhe Perëndimit është shoqëruar edhe nga një fushatë e koordinuar e medias shtetërore ruse.