Një 35-vjeçar është arrestuar në Korçë pasi i janë gjetur 3 mina me telekomandë. Minat ishin të montuara me eksploziv plastik C4, dhe të lidhura me celular.
35-vjeçari PAVLIN CUPI, banues në Rrilë të Lezhës dyshohet se prodhonte mina që më pas i shiste pë veprimtari kriminale në Korçë.
Arrestimi i 35-vjeçarit u vë në Pogradec, ndërsa ky ishte në makinë, ku policia gjeti dhe sekuestroi 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4.
Me arrestimin e P.C. shkon në dy numri i të të ndaluarve dhe në 6 i minave të sekuestruara, gjatë të dy fazave të operacionit “Remote”.
Operacioni i zhvilluar pas një pune hetimore disajavore, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.
NJOFTIMI I POLICISE:
Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit, shitjes dhe trafikimit të minave me telekomandë, duke parandaluar ngjarje të mundshme kriminale. Një 35-vjeçar nga Lezha, i cili prodhonte mina me telekomandë është arrestuar nga policia e Korçës. Pas një pune hetimore disajavore u arrestua në flagrancë P. C., 35 vjeç, banues në fshatin Rrilë, Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i armëve dhe i municionit”. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas do të tentonte të shiste mina me telekomandë, të cilat dyshohet se mund të përdoreshin në veprimtari kriminale në qytetin e Korçës, u organizuan shërbimet, u bë i mundur lokalizimi i personit dhe kapja e tij në vendin e quajtur “Enkelana”, në Pogradec. Gjatë kontrollit të ushtruar nga forcat e policisë mjetit tip “Mercedes-Benz”, që ky shtetas drejtonte, në bagazh u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksploziv plastik C4. Ka shkuar në dy numri i të ndaluarve dhe në 6 i minave të sekuestruara, gjatë të dy fazave të operacionit “Remote”, ku faza e parë e tij u finalizua 6 muaj më parë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.