Kryeministri Edi Rama kishte disa ditë që nuk kishte dalë në publik dhe si duket ka qenë i prekur nga gjendja gripale e cila ka kapluar një pjesë të madhe të qytetarëve. Rama e ka nisur bisedën e tij me qytetarët me një thirrje për të qenë të kujdesshëm me këtë gjendje gripale pasi sipas tij ‘nuk të bën për burrë’.
Pas disa ditësh pa dalë në publik, Rama ka njoftuar se qeveria e tij po planifikon disa politika mbështetëse për pagat minimale dhe për disa kategori të veçanta. Kryeministri është shprehur se do të ketë mbështetje me strehim për mjekët, ushtarakët dhe policët që kanë një familje të re. Sipas Ramës ‘Pakoja e Madhe’ lehtësoi 1 milionë qytetarë dhe kjo shihet tek rritja e konsumit ndërkohë që pakoja tjetër për pensionistët do të jetë gati në pranverë.
Rama është shprehur gjithashtu se ata që punojnë me pagë minimale në sektorin privat, sidomos ata në prodhim duhet të paguhen me doemos më shumë dhe sa më parë. Sipas tij, këto ndryshime do të miratohen shumë shpejt pasi qeveria e tij është një qeveri e shumicës dhe jo e disave.