Debate në Këshillin e Mandateve për mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka. Kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ka pyetur deputetët demokratë që të provojnë me fakte, nëse Olta Xhaçka ka fituar qoftë edhe një qindarkë nga përdorimi i pronës bregdetare.
Nga ana e tij, Gazment Bardhi e ka quajtur pyetjen e kolegut pa sens, duke thënë se “zakonisht fitimet nuk janë në monedhë”.
PJESË NGA DEBATET NË MBLEDHJE:
Bushka: Këtu diskutojmë nëse jemi para një fakti, ku juridiksion do të ketë Gjykata Kushtetuese, dhe ne do të shohim elementet formalë. Ne kemi për detyrë të shohim nëse jemi para rastit, nëse ne kemi detyrimin të çojmë një çështje në gjykatë.
Pyetja që kam unë për nismëtarët: Olta Xhacka, si deputete, çfarë pasurie shteti ose pushteti vendor përdor ajo personalisht?
Bardhi nxjerr foton: Këtë këtu. Kjo është pasuri e ministres dhe deputetes Olta Xhacka, referuar dy vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike dhe referuar një vendimi të Këshillit të Ministrave. Nëse aksionet apo pjesët në kapital janë të regjistruara në emrin e personit të lidhur, që konsiderohet bashkëshorti, ato vlerësohen si të ishin të regjistruara në emër të vetë zyrtarit. Pra, çdo aksion i regjistruar nën emrin e bashkëshortit të ministres, ato konsiderohen të regjistruara në emër të ministres dhe deputetes Xhaçka. Zonja Xhacka është aksionere në vlerë të barabartë me bashkëshortin e saj për çdo pasuri të vënë përgjatë martesës. Që do të thotë se ministrja ka 50% të fitimeve për këtë pronë. Për këtë arsye, ministrja është duke kryer një veprimtari fitimprurëse me pasuri të shtetit. Edhe bashkëshorti i saj, ish-deputet i këtij Kuvendi, ku ka votuar më 105 për ligjin e investimeve strategjike dhe dy javë pasi ka votuar, ka krijuar këtë kompani. Imagjinoni sikur të gjithë të miratojmë një ligj për veten tonë dhe t’i hyjmë ta copëzojmë bregdetin e t’i marrim pjesë-pjesë për vete. Kështu që pronën e keni këtu. 50% fitimin nga stacionet e plazhit do t’i ketë në llogari Olta Xhaçka dhe 50% do jenë te llogaria personale e bashkëshortit të saj.
Balla: Në eksperiencën 30-vjeçare të këtyre raste, gjithmonë referuesit u janë referuar provave, elementeve të provave. A ka fituar Olta Xhaçka një qindarkë? Dhe nëse po, në ç’rrugë e ka marrë, në bankë, cash, kriptovalutë. Si të doni ju, vetëm thoni një qindarkë dhe ma provoni me fakte.
Bardhi: Pyetja është shumë pa sens, sepse zakonisht fitimet nuk janë në monedhë. Nuk e di pse ju i lidhni gjithmonë fitimet me monedhë. Zonja ka ushtruar të drejtën e veprimtarisë fitimprurëse me pasuri shteti. Vendimi me firmë të Edi Ramës, i ka dhënë ministres përdorimin e plazhit. Nuk besoj se Olta Xhacka do të shtrojë shezlongë dhe do t’i japë falas. Ajo gënjeu, se tha që nuk ka fituar nga reduktimi i TVSH, se nuk ka një brend ndërkombëtar, madje tha që nuk ka krijuar një SPV të veçantë. Në fakt po t’i referohesh vendimeve të komitetit të investimeve strategjike thuhet se si gënjeu ministrja. Hapeni vendimin, që thotë se subjekti ka lidhur kontratë me brend ndërkombëtar. Pra, ministrja gënjeu në seancë publike. Gjithashtu tha se nuk ka përfituar nga reduktimi i TVSH. Unë ju besoj shkresave zyrtare, që thotë se shoqëria investuese synon që zonën e bregdetit ta shfrytëzojë për veprimtari fitimprurëse. Subjekti investues, thotë vendimi, përfiton nga incentiva e reduktimit të TVSH, sepse subjekti ka krijuar një shoqëri të dedikuar SPV. Burri i saj i ka dhënë të drejtën kunatës dhe këtë nuk e ka bërë për të shmangur konfliktin e interesit, por kompania e kunatës është SPV. Një qytetar që blen domate paguan TVSH 20%, Olta dhe burri i saj për të realizuar miliona euro fitime cdo ditë nga përdorimi i pronës publike paguajnë 5%. Unë nuk jam zyrë kontabiliteti që të mbajë fitimet e Olta Xhaçkës apo burrit të saj.
Nikolla: Të bëhemi seriozë e të kthejmë përgjigje konkrete të pyetjeve.
Bardhi: Se sa është fitimi, do duhet të na deklarojë në xhiron vjetore që do të dorëzojë vitin që vjen, që të shohim sa është fitimi. E rëndësishme është që po kryen veprimtari tregtare me një pronë shtetërore. Nuk është detyra ime të them shifra, shko merri të dhënat te Tatimet.