Ish-drejtori i shërbimit zjarrfikës në Bashkinë e Cërrikut, Artjon Taçi dhe katër zyrtarët e tjerë janë liruar nga burgu. Gjyqtarja Matilda Fetahu rrëzoi në një seancë me dyer të mbyllura kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Elbasan për masën e sigurisë “arrest në burg” për të 5 të arrestuarit e Cërrikut, duke caktuar masën “arrest shtëpie” për ish-drejtorin e zjarrfikëses dhe 4 vartësit.
Ata u arrestuan nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, me urdhër të prokurorisë së Elbasanit më datë 31 gusht. Ndaj 5 personave u ngritën akuzat e falsifikimit të dokumenteve, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm dhe përdorimit të funksionit publik në veprimtari zgjedhore. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë dhënë vërtetime false për subjekte biznesi që kishin detyrime të pa paguara në bashkinë e Cërrikut.