Vendi ynë ditën e sotme është përfshirë nga moti i keq dhe reshjet e dendura të shiut të cilat kanë sjellë dëme në disa qytete.
Qyteti i Durrësit është përfshirë sërish nga reshje të dendura shiu, ndërkohë që menjëherë disa rrugë të qytetit u përmbytën. Reshjet nisën me intensitet të lartë gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm dhe për këtë arsye rrugët pranë kryqëzimit të stadiumit në lagjen 17 si dhe pjesërisht në lagjen 18, u bën të pakalueshme. Menjëherë niveli i ujit arriti të dalë në trotuare duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe kalimtarëve në zonat e përmbytura. Përkeqësimi i motit nuk ka sjellë probleme në port, nga ku raportohet se tragetet që janë nisur natën e djeshme nga Italia, pritet të mbërrijnë në orar në portin e Durrësit. Përkohësisht të bllokuara do të jenë mjetet lundruese të tonazhit të ulët si dhe anijet e peshkimit.
Ndërkohë që reshjet e shiut në qarkun e Lezhës gjatë natës kanë qenë me intensitet të lartë. Për shkak të intensitetit të reshjeve përroi i Zmejës në Rrëshen ka dalë nga shtrati në disa zona çka ka sjellë përmbytjen e disa oborreve të banesave. Nga shtabi i emergjencave raportohet se si shkak i inerteve është bllokuar aksi Skuraj-Burrel. Gjithashtu bëhet me dije se emergjencat civile ndodhen në terren për të monitoruar situatën.
Një thirrje për banorët e Tiranës ka pasur edhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndihmojnë fqinjët në rast nevoje.