Dhimbja e shpinës është kthyer në një problem të zakonshëm sot, sidomos për ata njerëz të cilët qëndrojnë shumë gjatë ulur dhe në pozicion jo të përshtatshëm.
Një ndër zgjidhjet për të lehtësuar dhimbjet e shpinës është edhe regjimi ushqimor, i cili lehtëson dhimbjen dhe forcon muskujt.
Ushqimi i pasur me acide omega-3 yndyrore duhet të jetë në menynë e njerëzve me dhimbje shpine. Këto ushqime përfshijnë peshkun, bajamet, arrat, farat e lirit, farat chia, dhe do të ndihmojnë në ruajtjen e forcës së kockave.
Ushqimet me veti anti-inflamatore përfshijnë erëza, si xhenxhefili, kanella dhe speci i kuq, por duhet të konsumohen në sasi të kufizuar. Ato janë të dobishme në reduktimin e inflamacionit. Shafrani i Indisë përmban përbërësin kurkumin, i cili është një ilaç efektiv për dhimbjet e nyjave, ndërsa xhenxhefili dhe hudhra kanë veti anti-inflamatore që lehtësojnë artritin.
Perimet e gjelbra, si brokoli, lulelakra, lakra dhe spinaqi, janë të pasura me vitamina A, C dhe K, të cilat ndihmojnë në uljen e inflamacionit. Ato përmbajnë përbërësin sulforafan, i cili frenon enzimat që shkaktojnë dhimbje dhe inflamacion të nyjave.