Një 19-vjeçar ka ndërruar jetë këtë të shtunë në Ferizaj, pasi dyshohet se është vetëhedhur nga kati i 9-të i një ndërtese të lartë.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Sali Çeku” të qytetit. Lajmin është konfirmuar për Telegrafin nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Sot, rreth orës 00:35 të mëngjesit ,Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se një person, shtetas i huaj me inicialet B.G i moshës 19 vjeçar në rrugën ‘Sali Çeku’ në Ferizaj, ka rënë nga kati i IX- të i një ndërtese”.
“I njëjti për ndihmë mjekësore është dërguar në Emergjencën e Ferizajt e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në QKUK-Prishtinë, ku nga atje jemi njoftuar se ka ndërruar jetë!”, deklaroi Veseli.
Ai shtoi gjithashtu se Policia e rendit po kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Janë kontaktuar edhe familjarët e viktimës, ku sipas tyre dyshohet sa ai është hedhur nga kati i IX-të i ndërtesës. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i cili i ka autorizuar hetuesit rajonal që t’i marrin të gjitha veprimet hetimore dhe trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi. Po ashtu është njoftuar edhe ILEC-u për vdekjen e shtetasit të huaj”.