Turqia paralajmëroi Moskën pasi një anije mallrash turke u sulmua nga marina ruse fundjavën e kaluar. Zyra e presidentit Recep Tayyip Erdogan kërkoi që Rusia të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm.
“Pas ndërhyrjes (ruse), bashkëbiseduesit tanë në Federatën Ruse u paralajmëruan në mënyrë të përshtatshme për të shmangur përpjekje të tilla, të cilat përshkallëzojnë tensionet në Detin e Zi”, tha presidenca turke.
Anija Sukru Okan po mbante flamurin e Palau-s kur u qëllua nga marina ruse. Personeli ushtarak rus hipi më pas në anije për të kryer një inspektim, përpara se ta linte të lundronte drejt portit ukrainas të Izmail-it – rruga kryesore e eksportit për produktet bujqësore ukrainase.
Incidenti erdhi pas rritjes së sulmeve në rajonin e Detit të Zi që pasoi vendimin e Rusisë për t’u tërhequr nga marrëveshja e drithërave ukrainase. Turqia ndihmoi ndërmjetësimin e marrëveshjes së mbështetur nga OKB-ja, duke përdorur marrëdhëniet e saj të mira me Moskën dhe Kievin.