Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Turqia dëshiron të rrisë blerjet e gazit nga Shtetet e Bashkuara dhe ta ndajë atë me fqinjët e saj evropianë.
Kjo është raportuar nga agjencia Bloomberg.
“Ne duam të rrisim furnizimin me gaz që blejmë nga SHBA me kushte më të favorshme në të ardhmen,” i tha Erdogan një grupi biznesmenësh amerikanë të mërkurën vonë në Nju Jork.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për furnizimin me LNG amerikan në vendet e rajonit”, shtoi ai.
Turqia dhe Shtetet e Bashkuara po kërkojnë mënyra për të përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara nga një seri mosmarrëveshjesh në vitet e fundit, duke përfshirë blerjen e Ankarasë të një sistemi rus të mbrojtjes raketore.
Tani për tani, Erdogan tregon potencialin për zgjerimin e lidhjeve energjetike, por Turqia ka mundësi të kufizuara për rieksportin e gazit në Evropë.
Turqia është një vend tranzit për furnizimin e gazit Azerbajxhan përmes gazsjellësit Trans-Atolian, i cili përshkon Greqinë dhe lidhet me një tjetër tubacion që çon në Itali.
Turqia pompon veçmas gazin që blen nga burime të ndryshme, duke përfshirë Rusinë, Azerbajxhanin, Algjerinë dhe Shtetet e Bashkuara, përmes tubacioneve të veçanta drejt Greqisë dhe Bullgarisë.
Në tremujorin e parë të 2022, SHBA u bë furnizuesi më i madh i LNG në Turqi.
Turqia importon çdo vit rreth 60 miliardë metra kub gaz.
Erdogan gjithashtu i bëri thirrje Uashingtonit të heqë tarifat shtesë për çelikun dhe aluminin turk të vendosura nga administrata Trump dhe të heqë barrierat për tregtinë e armëve.
Kujtojmë se gjatë takimit në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait të premten, presidentët e Turqisë dhe Rusisë, Recep Tayyip Erdogan dhe Vladimir Putin, ranë dakord për pagesën nga Ankaraja të 25% të gazit rus në rubla.
Marrëveshja për pagesën e pjesshme të gazit rus nga Turqia në rubla ruse u arrit nga Putin dhe Erdogan gjatë një takimi në Soçi në fillim të gushtit. Në atë kohë, pjesa e llogaritjeve në rubla nuk u përmend.