Kosova është tronditur nga lajmi se ishte hartuar një plan për eleminimin fizik të kreut të LDK-së Lumit Abdixhiku dhe disa politikanëve të tjerë të lartë.
Mësohet se zbulimi është bërë fale autoriteteve gjermane, e ndërsa është konfirmuar edhe nga autoritetet policore të Kosovës, të cilët kanë dalë me një njoftim zyrtar.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u shpreh një përfaqësues i policisë në Prishtinë.
Bëhet fjalë për një përgjim ku flitet për një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie, mes tyre Abdullah Hoti ish-kryeministër, Armend Zemaj dhe Arben Gashi. Mendohet s arsyet e këtij atentati kanë qenë politike.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala.
“Mund të konfirmoj se jemi informuar për këtë çështje, për një lloj planifikimi për një rrjet organizatash në Kosovë dhe shteteve tjera të BE-se dhe jashtë territorit të Evropës. Individë të cilët kanë rënë në përgjime. Nga informacionet që kemi marrë ne, motivi është qartësisht politik, i qartë dhe e elaboruar. Ne kemi informuar organet e rendit, miqtë tanë ndërkombëtarë dhe çështja po trajtohet në disa nivele. Ne i kemi marrë nga një burim që i referohet një agjencie të fuqishme inteligjence. Është emri i kryetarit dhe i tre deputetëve”, tha ndër tjera ai.