Shqipëria ka fituar një tjetër medalje në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”. Suksesi këtë herë vjen nga peshëngritja, me Erkand Qerimajn që ka marrë medaljen e argjendit në stilin e shkëputjes në peshat 73 kg, në një garë që nuk kaloi pa polemika, ku sërish u bënë protagonistë gjyqtarët.
Pasi dështoi në dy provat e para me 148 kg, Qerimaj realizoi me sukses provën e tretë me 149 kg, duke shpërthyer në festë. Por çuditërisht dy nga tre gjyqtarët e konsideruan fillimisht provën të pa rregullt.
Kjo gjë solli protesta të forta nga Qerimaj, trajneri Sokol Bishanaku dhe presidenti i FSHP-së Elez Gjoza. Më pas në rishikim, gjyqtaria vendosi ta quante si provë të rregullt.
Ky rezultat i jepte momentalisht të artën shkodranit, por në provën e fundit italiani Mirko Zanni ngriti 150 kg, duke e marrë ai vendin e parë.
Kjo ishte medalja e katërt për Shqipërinë në “Oran 2022”, pasi më parë kanë fituar medalje ari atletja Luiza Gega, mundësi Zelimkhan Abakarov, ndërsa një bronzi e ka marrë mundësi Islam Dudaev.