Ka përfunduar takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me të dërguarin special të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar. Menjëherë pas takimit, Kurti dhe Escobar kanë mbajtur një konferencë për mediat.
Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalimit të tij ka theksuar se janë të gatshëm për të dialoguar me Serbinë dhe për të arritur një marrëveshje me njohje reciproke.
“Republika e Kosovës është palë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut, jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshje finale ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”, tha Kurti.
I dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar e ka vlerësuar vullnetin e mirë të Kosovës për dialog dhe ka siguruar se SHBA-të janë mike të palëkundura të shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Kosova dhe SHBA kanë partneritet të palëkundur. Ne diskutuam për marrëdhënie dhe çështjet që kanë të bëjnë me dialogun, implikimet rajonale nga dialogu dhe rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë sovranitetit dhe sigurinë tuaj”,- u shpreh Escobar.