Seria A ka zyrtarizuar formatin e ri të Superkupës së Italisë. Në vazhdim në këtë kompeticion do të përdoret modeli i “Final Four”, me katër ekipe, i cili është testuar në Spanjë. Serie A ka pranuar propozimin e bërë nga Arabia Saudite për ndryshimin e formatit në gjashtë vitet e ardhshme. Katër nga gjashtë edicionet do të zhvillohen në mbretërinë saudite.
Që nga sezoni i radhës, do të konkurrojnë katër ekipe. Pjesëmarrëse do të jenë vendi i parë dhe i dytë në Serie A, e gjithashtu finalistet e Kupës së Italisë të edicionit 2022/23.
Kjo do të thotë se nga ky kompeticion mund të marrin pjesë në Superkupë një mes Interit dhe Juventusit dhe një mes Fiorentinës e Cremonese-s. Ndërsa në kampionat, Napoli ka marrë arratinë dhe mund të thuhet se e ka rezervuar tashmë një vend. Për vendin e dytë, janë katër ekipe që po luftojnë, Inter, Lacio, Milan dhe Roma.
Ngelet për t’u vendosur se si do të përcaktohen çiftet gjysmë finalistë në Superkupën e Italisë.