Sulmuesi i kombëtares shqiptare të futbollit Ernest Muçi dhuroi spektakël dhe ndihmoi Legian e Varshavës që të merrte një fitore të rëndësishme kundër Aston Vilës 3-2 në sfidën e parë në Grupin E në Ligën e Konferencës.
Lojtari 22-vjeçar shënoi dy herë në portën e mbrojtur nga kampioni i botës dhe portieri i përfaqësueses argjentinase, Emiliano Martinez. Muçi realizoi golin e dytë për Legian dhe të parin e tij në minutën e 26. Sulmuesi kuqezi shënoi rrjetën e fitores në të 51′, kur rezultati ishte 2-2.
Ai u zëvendësua në minutën e 72 të lojës, ndërsa tifozët vendas brohoritën emrin e tij dhe e duartrokitën. Në vazhdim, skuadra polake menaxhoi rezultatin dhe mori fitoren e rëndësishme.
Në faqen e UEFA-s është hapur votimi për futbollistin e javës, ku mes tyre është edhe sulmuesi i përfaqësueses kuqezi. Tre rivalët e tij janë Kozulj i Zrinjskit, Lojtari i Ludogorets Piotrovski dhe Ranieri i Fiorentinës. Të gjithë shënuan dopietë. Muçi e ka nisur më së miri sezonin, ndërsa në kampionatin polak, në 6 takime ka shënuar 3 gola.