Kryeministri Edi Rama ka dënuar bombardimin e spitalit në Gaza. Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale kreu i qeverisë shqiptare ka kërkuar gjetjen e autorëve të këtij krimi ndaj njerëzimit dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.
Rama është shprehur se është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra e qindra njerëz u masakruan e humbën jetën. Një ndër gjërat që ka listuar Rama është se sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken.
‘Deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese. Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrëqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit. Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit’’, shkruan kryeministri Rama.