Sulmet kibernetike të Iranit në vendin tonë kanë vënë në lëvizje autoritetet e drejtësisë. Kështu, Prokuroria e Tiranës, kërkon sekuestrimin e të dhënave dhe faqeve online në tre shtete, ne Hong Kong, Britaninë e Madhe dhe në Rusi.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria thotë se nga veprimet hetimore, ka rezultuar se faqja “HomelandJustice” që publikon të dhënat shqiptare ka IP pikërisht ne keto tre shtete.
“Në zbatim dhe për ekzekutimin e këtyre vendimeve nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë u dërguan kërkesat për Ndihmë Juridike nga organet ligjzbatuese të shtetit përkatës Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës dhe Federata Ruse”, thuhet ne njoftim.
Në njoftim po ashtu thuhet se “Si pasojë e mos aksesimit, autorët e sulmit kibernetik hapën një faqe tjetër e cila u përdor për të shpërndarë mesazhe të ndryshme në lidhje me sulmin e kryer apo publikimin e të dhënave që janë vjedhur. Në ditët në vijim dhe aktualisht nga kjo faqe si edhe nga llogaritë nga aplikacionet e komunikimeve në internet si Telegram etj, po postohen dokumente të Policisë së Shtetit të cilat përbëjnë sekret hetimor”.
Hakerat iranianë pretendojnë se së fundmi kanë arritur të marrin të dhënat nga sistemi Depp See i policisë shqiptare. Në një njoftim të fundit në platformën e komunikimit Telegram, ata shprehen: “Është hapur Kutia e Pandorës, qeveritë arrogante vazhdojnë dëshpërimisht të mohojnë të vërtetën.”
Formati “Deep Sea”, përfshin çdo informacion të mundshëm për çdo person me një të kaluar kriminale.