Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se në Samitin e Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare që do të mbahet të martën dhe të mërkurën, do të diskutohet edhe situata e sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Stoltenberg tha se NATO po shqyrton mundësinë për të rritur qëndrueshmërinë e trupave në Kosovë.
“Bashkë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së (Josep Borrell) ne do të diskutojmë mënyrat që të rrisim stabilitetin në rajon. NATO-ja tashmë ka shtuar 1000 (një mijë) trupa në Kosovë. Dhe ne jemi duke ekzaminuar një prani më të qëndrueshme në Kosovë”, tha shefi i NATO-s.
Po ashtu, Stoltenberg theksoi se ka parë dhunë serioze në Kosovë, si tentativa që vijnë nga Rusia.
“Kemi parë dhunë serioze në veri të Kosovës, retorikë ndarëse e shkëputëse në Bosnjë Hercegovinë, dhe tentime malinje të ndërhyrjeve përfshirë ato nga Rusia”, tha ai.