Stambolli është në përgatitjet e fundit për finalen e Ligës së Kampioneve. Punonjësit dhe organizatorët kanë bërë gjithçka gati në stadiumin “Ataturk”, që do të presë Manchester City dhe Interin dhe tifozët.
Jashtë impiantit janë vendosur katër skulptura gjigante të Lionel Mesit, Cristiano Ronaldo, Steven Gerrard dhe Gareth Bejl. Veprat e artit i vizitoi edhe holandezi Wesli Shnajder, i cili ka luajtur më parë për Galatasaray.
Në vitin 2010 ai fitoi Ligën e Kampioneve me Interin, duke u shpallur edhe lojtari i ndeshjes.
‘Guardiola e ka ndërtuar ekipin siç do. Iu deshën disa vite, por mendoj se tani Siti ka arritur një nivel të lartë dhe më lejoni ta them, do të jetë shumë e vështirë për Interin që t’i mundë ata. Por ndodhen në finale dhe një finale ngelet finale. Mendoj se sfida do të shkojë me penallti. Do të përfundojë 1-1. Dhe Interi do të fitojë me penallti’, tha ish-futbollisti Wesley Sneijder.
Ndërkohë futbollistët City dhe të Interit mbërritën në Stamboll, e kanë kryer stërvitjen e parë në stadiumin Olimpik Ataturk. Cityzens synojnë që të fitojnë tripletë në këtë sezon, e të përsërisin suksesin e United në 1999. Ndërkohë zikaltrit duan që të ringrenë trofeun pas triumfit që e arritën në 2010.
Skuadra e Inzagit pësoi 3 gola në 6 takime në fazën e eliminimit direkt, duke mundur Porton, Benfica e Milanin.
Ndërkohë që në metropolin turk u ekspozua edhe trofeu i kompeticionit më të lakmuar në Europë, që ngjalli kureshtje nga tifozët, e po ashtu një Kupë më e madhe, me tifozët që patën mundësinë të bënin edhe fotografi.