Këtë të enjten SPAK ka lëshuar 9 masa sigurie për biznesmenë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës.
Në njoftimin zyrtar përmenden Mariglen Qato (ish-kreu i Inspektoriatit Ndërtimor në Tiranë) dhe Redi Molla (Ish-drejtor i UKT-së). Qato ka pasur detyrën e kreut të IMT-së në periudhën 2015-2022, ndërsa Molla u largua nga posti si drejtor i UKT-së në vitin 2020.
Arrestimi i të dyve vjen pas kallëzimit të bërë nga Belind Këlliçi në maj të 2023.
-Redi Molla akuzohet për “korrupsion pasiv” në 7 raste dhe “fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive” në 5 raste.
-Mariglen Qato akuzohet për “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, në 4 raste dhe “fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive“.
“Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit R.M. dhe M.Q. janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Shtetasit R.M. dhe M.Q. e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, shtetasit E.M., M.P. dhe N.M., si ortakë fiktiv në aktet e rregjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore“, thuhet nga SPAK.
Ndërkohë personi i tretë ndaj të cilit është lëshuar masa e arrestit në burg është Taulant Tushe. Ky i fundit ndodhet në qeli për çështjen e Inceneratorit të Tiranës.
Taulant Tushe akuzohet për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera” në dy raste.
“Janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi T.T. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe shtetasit E.P., J.Z. dhe A.J. në cilësinë anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar këtij subjekti tregtar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë që kanë marrë pjesë në procedurat e prokurimit, duke e shpallur fituese të procedurës së prokurimit në mënyrë të parregullt dhe në shkelje të rregullave të prokurimit publik.”
Emrat e 9 personave ndaj të cilëve GJKKO ka lëshuar masa sigurie:
Eglantina Zere “detyrim paraqitje”
Enton Punavia “detyrim paraqitje”
Debora Keçi “detyrim paraqitje”
Nestor Muhametllari “detyrim paraqitje”
Julian Zanaj “detyrim paraqitje”
Albano Janku “detyrim paraqitje”
Redi Molla “arrest me burg”
Taulant Tusha “arrest me burg”
Mariglen Qato “arrest me burg”