Një zjarr i madh është raportuar të ketë ndodhur mbrëmjen e djeshme në portin Iskenderun (Aleksandretta), një qytet bregdetar në Turqinë juglindore dhe pranë kufirit me Sirinë, edhe ky i goditur nga tërmeti.
Kjo u njoftua nga media të ndryshme lokale sipas të cilave zjarri mund të ketë ardhur për shkak të rënies së disa kontejnerëve. Megjithatë, është ende e paqartë arsyeja e zjarrit. Autoritetet kanë nisur hetimet, ku nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë një zjarrvënie të qëllimshme.
Turqia prej 24 orësh po vuan pasojat e një tërmeti të fuqishëm dhe lëkundjeve të njëpasnjëshme që vijnë, ku deri më tani janë raportuar për 5 mijë viktima dhe mbi 20 mijë të plagosur.