Përparim Caca, me profesion avokat nga qyteti i Kavajës, prej disa muajsh së bashku me familjen është zhvendosur për të jetuar në qytetin e Durrësit.
Shkak i largimit nga qyteti i lindjes është shkrirja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Kavajë, që më pas iu bashkua asaj të Durrësit, që prej 1 shkurtit 2023 me hyrjen në fuqi të hartës së re gjyqësore.
Z. Caca pohon se largësia fizike e gjykatave, me hartën e re gjyqësore, jo vetëm ka shtuar shpenzimet për avokatët, por nuk ka arritur të përmbushë qëllimin kryesor të saj, për uljen e stokut të dosjeve të pashqyrtuara. “Largësia e madhe për të shkuar në gjykatë ka paralizuar shumë individë, veçanërisht kategorinë e pensionistëve, për të pasur akses në sistemin e drejtësisë”, – thotë ai.
Madje, në disa raste, siç thotë avokati Caca, pensionistët humbin jetën pa u marrë vendimi gjyqësor.
“Harta e re gjyqësore nuk e ka zgjidhur problematikën për dhënie sa më të shpejtë të gjykimit të dosjeve. Në Shkallën e Parë të Gjykatës Administrative, hapja e seancës së parë të gjykimit bëhet 7 deri në 8 muaj pas depozitimit të kërkesës.
Në disa raste, pensionistët largohen nga jeta para marrjes së vendimit. I tillë është rasti i një shtetasi nga zonat rurale të Kavajës, Razi Kalliçi, ish-pensionist, i cili u largua nga jeta pa u marrë vendimi për çështjen me subjekt ‘pavërtetësi fletë regjistri’ për librezën e punës.
Gjykimi i çështjes zgjati një vit, ndërsa në Gjykatën e Apelit kërkohet ankimimi, pas vdekjes së kërkuesit. Kjo është absurde”, thotë ai.
Avokat Klodian Gjermeni gjithashtu konstaton se edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, një seancë gjyqësore zhvillohet çdo 5 ose 6 muaj dhe gjyqtaret kanë kohë të pamjaftueshme, për shkak të ngarkesës, për arsyetimet e vendimeve.
Sipas tij, kjo ngarkesë ka ardhur jo vetëm për shkak të reformës në drejtësi, por edhe të reformës së hartës së re gjyqësore.
“Me centralizimin e Gjykatave të Apelit, në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, situata u përkeqësua në gjykimin e çështjeve, pasi gjyqtarët e Gjykatave të Apeleve nëpër rrethe (Korça, Vlora, Shkodra, Gjirokastra), ku po gjykoheshin çështjet gjyqësore të viteve 2020, aktualisht po shqyrtojnë për gjykim çështje gjyqësore të vitit 2017.
Edhe Gjykata e Apelit Administrativ në Tiranë aktualisht është duke gjykuar çështje administrative të vitit 2017.
Pra, natyrshëm dalim në përfundimin se reforma, jo vetëm që ka rritur numrin e stokut të dosjeve, por ka rritur edhe afatet për shqyrtimin, vendimmarrjen dhe arsyetimin (zbardhjen) e këtyre vendimeve brenda afateve ligjore”, thekson juristi Gjermeni.
Vendimi për reduktimin e numrit të gjykatave u miratua më 10 qershor 2022 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Më tej, edhe pas kundërshtive të forta nga avokatët, të shoqëruara me protesta dhe bojkot seancash u miratua nga Këshilli i Ministrave më 21 korrik 2022.
Për avokatët, riorganizimi i gjykatave u nxit nga numri i lartë i vendeve të lira në pushtetin gjyqësor, si pasojë e procesit të vetingut.
Por shkurtimi i numrit të gjykatave, siç do të pohonte më herët drejtuesi i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, do të shtonte kostot e qytetarëve për të ndjekur çështjet gjyqësore, do të rriste rrezikun ndaj qytetarëve për të pasur akses në sistemin e drejtësisë dhe nga ana tjetër, do të dëmtonte profesionin e avokatit.
Por për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Shoqatën e Gjyqtarëve, kjo reformë ishte e domosdoshme, pasi fragmentimi i mëparshëm i sistemit gjyqësor po krijonte pabarazi te ngarkesa e punës së gjyqtarëve, ku në shumë raste ishte e nevojshme të delegoheshin gjykatës nga njëra gjykatë në tjetrën, duke rritur jo vetëm kostot financiare të gjyqësorit, por duke nxitur edhe zvarritjen e proceseve.
Në raportin e KLGJ-së, të publikuar para miratimit të reformës, theksohej se rishpërndarja e gjykatave ka objektiv kryesor uljen e kostove dhe përshpejtimin e shqyrtimit të dosjeve.
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë e ka vlerësuar vendimin antikushtetues dhe ka kërkuar shfuqizimin në Gjykatën Kushtetuese. Shqyrtimi i kërkesës tashmë ka nisur në Gjykatën Kushtetuese.
Struktura e re për funksionimin e sistemit gjyqësor nisi nga 1 Shkurti 2023, fillimisht me funksionimin e një gjykate të vetme të Apelit në Tiranë, pas shkrirjes që iu bë 6 gjykatave të Apeleve në rrethe. Në këtë mënyrë, u shkrinë Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës Korçë dhe Gjirokastër, duke sjellë si pasojë, transferimin e të gjitha dosjeve në Tiranë.
Ndërsa nga 1 maji 2023, nisi riorganizimi i Gjykatave të Shkallës së Parë, nga 22, numri i tyre u shkurtua në 10. Në Tiranë, u bashkuan Gjykatat e Shkallës së Parë të Beratit, Elbasanit, Tiranës, Vlorës, Dibrës dhe Matit.
Gjykata e Durrësit u bashkua me gjykatat e Kavajës dhe Krujës, ajo e Fierit u bashkua me Gjykatën e Lushnjës, Gjykata e Gjirokastrës u bashkua me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit, Gjykata e Kukësit me Gjykatën e Tropojës, ajo e Korçës me Gjykatën e Pogradecit, Gjykata e Lezhës u bashkua me Gjykatën e Kurbinit dhe ajo e Shkodrës me Gjykatën e Pukës. Nga 1 Korriku 2023 u mbajtën vetëm dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë, në rang vendi, një në Tiranë dhe një në Lushnjë, duke u shkrirë gjykatat administrative të rretheve.
Avokati Caca ngre shqetësimin se harta e re gjyqësore i ka shkurajuar individët t’i drejtohen sistemit të drejtësisë. “Qytetarë të shumtë po i anashkalojnë institucionet për zgjidhjen e problemeve, madje duke shkuar drejt vetëgjyqësisë”, thekson z. Caca.
Në anën tjetër, reforma ka përcaktuar se institucionet e mëparshme gjyqësore në rrethe do të funksionojnë si zyra administrative për ofrim shërbimi të protokollit apo arkivës për qytetarët. Por avokati Përparim Caca thotë se aktiviteti i tyre nuk është eficient dhe po rrit koston për qytetarët.
“Nëse një qytetari nga Kavaja i nevojitet një vërtetim për dokumentacion në Gjykatën e Durrësit, duhet të aplikojë pranë zyrave të Gjykatës së Kavajës. Marrja e kohës të paktën prej dy javësh për vërtetimin i detyron shumë qytetarë të marrin taksi të shkojnë në Durrës dhe ta tërheqin vetë vërtetimin.
Ndërsa kostot për mbajtjen e këtyre strukturave nuk janë ulur. Në shumë raste, po shërbejnë për punësimin e militantëve”.
Si harta e re gjyqësore, paralelisht edhe zbatimi i reformës territoriale, sipas juristit Përparim Caca, e kanë zbrazur qytetin e Kavajës.
“Në këtë qytet nuk ka më gjykatë, nuk ka zyrë tatim-taksash, as drejtori arsimore. Spitali i qytetit ofron vetëm shërbime ambulatore. Në rast urgjencash kirurgjikale, qytetarët duhet të shkojnë në Durrës apo Tiranë. Si reforma gjyqësore, edhe ajo territoriale, kanë boshatisur Kavajën dhe rrethet e tjera.
Qytetet kanë mbetur të shkreta. Për pasojë është rritur hemorragjia e largimit të njerëzve në emigracion. P.sh. në Kavajë, njerëzit më së shumti po largohen drejt Italisë, duke iu bashkuar familjarëve të tjerë”.
Avokati Klodian Gjermeni e konsideron reformën për shkurtimin e gjykatave një ndër faktorët që po nxit largimet në emigracion, pasi mosdhënia në kohë e drejtësisë prek jo vetëm cilësinë e jetës së një individi, por përkeqëson edhe situatën e tij sociale dhe ekonomike.
“Duke marrë parasysh postulatin ‘drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar’, qartë kuptojmë se mosdhënia e drejtësisë në kohë reale dhe mungesa e aksesit në drejtësi për shkak të distancës dhe kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, përkeqëson kushtet sociale dhe ekonomike në të cilin jeton individi, por në të njëjtën kohë vret edhe shpresën e shtetasit për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe për familjen e tij”, nënvizon ai./Monitor