Zbulimi i shtëpive të barit në disa qytete ka alarmuar Policinë e Shtetit për fenomenin i cili po përhapet edhe në Shqipëri. Kultivimi në ambiente të mbyllura i kanabisit është zbuluar të paktën në 3 raste gjatë muajve të fundit. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku kërkon nga drejtuesit e policisë luftë ndaj këtij fenomeni duke planifikuar kontrolle periodike. Parandalimi i fenomenit fillon që në pengimin në pikat kufitare të futjes së farave të Kanabisit.
Paralajmërimi i drejtuesit të Policisë ka qenë i qartë për vartësit, pasi Rrumbullaku ka deklaruar se në rast se bimët narkotike të kultivuara në terren do të zbulohen nga agjenci të tjera ligjzbatuese para policisë, atëherë përgjegjësia do të bie mbi zinxhirin drejtues.