Shqipëria vijon trendin pozitiv të turistëve dhe vizitorëve të huaj në vend edhe pas muajve të verës.
Statistikat zyrtare të Instat-it dëshmojnë një rritje të pushuesve me 39.7 për qind në muajin shtator në krahasim me një vit më parë.
Sipas Institutit të Statistikave, ritjen më të madhe e kanë turistët e huaj me 45,6 për qind, ndërsa rezidentët janë rritur me 31 për qind.
Në muajin shtator, Shqipëria u vizitua nga 110 mijë turistë të huaj, kundrejt 75 mijë që ishin në shtatorin e vitit 2021.
Rritjen më të madhe të numrit të turistëve të huaj e kanë Durrësi dhe zona e Jugut.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se edhe netët e qëndrimit në struktura akomoduese janë rritur.
Kjo, në krahasim me të njëjtën periudhë të një vitit më parë.
Numri i net-qëndrimeve është rritur gjithsej me 15,9 për qind, në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar.
Dallimin më të madh, në këtë rast, e bëjnë të huajit, pasi nëse rezidentët kanë një rritje të lehtë me vetëm 0.8 për qind, jo-rezidentët kanë rritur netët e qëndrimit me 23,7 për qind.
Veç shtetasve kosovarë që kanë rritjen më të madhe të turistëve në krahasim me shtatorin e vitit 2021, në trend rritës janë edhe pushuesit italianë, polakë dhe gjermanë.