Qytetet kryesore të vendit duket se kanë qenë nën monitorimin non stop të bandave kriminale dhe çdo lëvizje e policisë dhe kundërshtarëve janë ditur nga ana e disa personave. Kjo për faktin se vetëm ditën e sotme, policia ka hequr 78 kamerave në qytetin e Durrës, Krujës, Shijakut, Korçës dhe Pogradecit.
Në njoftimet e policisë në Durrës, Shijak dhe Krujë janë sekuestruar 47 kamera dhe janë vendosur nën hetim 8 persona, ndërkohë që në Korçë dhe Pogradec janë hequr nga rrugët dhe ambientet 31 kamera. Këto të fundit sipas policisë janë vendosur në kundërshtim me ligjin dhe të gjithë ata që kanë ndërhyrë do të ndiqen penalisht dhe do të përballen me ligjin. Policia Korçë ka njoftuar se operacioni për kamerat do të vijojë edhe në zonat rurale dhe fshatrat ku dyshohet se grupet kriminale mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre.
Kujtojmë se disa ditë më parë u sekuestruan 51 kamera sigurie në qytetin e Shkodrës dhe 16 kamera në qytetin e Vlorës.