Gjatë vitit të ardhshëm pritet që në Shqipëri të nisin punimet për rrjetin e gazifikimit. Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka njoftuar se investimi do të nisë menjëherë pas përfundimit të fizibilitetit, i cili parashikohet të mbyllet brenda vitit. Teksa ka vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve, presidenti Begaj ka njoftuar avancim të bisedimeve për heqjen e vizave.
Shqipëria nuk do të jetë thjesht një vend tranzit për gazin që vjen nga Azerbajxhani, por së shpejti do të ketë edhe një rrjet shpërndarjeje brenda territorit.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në konferencën e përbashkët me homologun shqiptar Bajram Begaj, deklaroi se së shpejti fillon edhe investimi për ndërtimin e projektit pilot.
“Është përzgjedhur një projekt-pilot. Gjithçka po shkon sipas planifikimit dhe në fund të vitit do të kemi një studim fizibiliteti në lidhje me këtë dhe mendoj se pas kësaj shpresoj do të fillojmë menjëherë investimin në Shqipëri për të ndërtuar një rrjet të shpërndarjes së gazit”, – tha Aliyev.
Ndërsa Presidenti shqiptar vlerëson se Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, pas TAP-it do të kontribuojë akoma më shumë në rolin e Shqipërisë si shpërndarëse e gazit në rajon.
Heqja e vizave mes dy vendeve shikohet si hapi i radhës i bashkëpunimit mes dy vendeve.