Ndeshja mes Polonisë dhe Shqipërisë përfundoi me fitoren e këtyre të parëve me rezultat minimal 1:0.
Ndoshta rezultati më i drejtë do të ishte barazimi, por futbolli është i tillë.
Dueli ishte i baraspeshuar, ku të dyja skuadrat kishin mundësi të shumta shënimi por kuqezinjtë i kishin më të pastra.
Shqipëria rrezikoi portën dy herë në pjesën e parë, por nuk ishin tentime serioze.
Polonia kishte mundësi të mira po ashtu, dhe më pas, në minutën e 41-të, shënuan golin, ku Kaminski goditi shtyllën nga distanca, dhe Swiderski shënoi me fat poshtë trupit të Strakoshës.
Pjesën e dytë, Shqipëria e filloi vrullshëm, duke rrezikuar portën me anë të Sokol Cikalleshit e Kristjan Asllanit, por pritjet e Szczesny-t nuk i lejuan kuqezinjve golin e barazimit.
Së fundmi, në minutën e 87-të, Shqipëria pati një mundësi të shkëlqyer ndoshta më të mirën e ndeshjes me Myrto Uzunin, goditja e të cilit përfundoi ngjitur me shtyllën pingul.
Pavarësisht humbjes, kuqezinjtë patën një performancë shumë të mirë.
Dueli i radhës i tyre do jetë kundër Moldavisë më 17 qershor.