Policia e Tiranës ka arrestuar 12 persona në Tiranë, 3 shqiptarë dhe 9 italianë, të cilët kanë organizuar një strukturë të mirëfilltë kriminale me qëllim të vetëm përfitimin me anë të shmangies së detyrimeve tatimore, duke kryer aktivitet në fushën e shërbimeve të konsulencave.
Sipas Prokurorisë, nga ky aktivitet, nëpërmjet subjekteve fiktive, kanë mundur të përfitojnë nga rritja fiktive e shpenzimeve, deri në këtë fazë të hetimeve, një vlerë të llogaritur prej rreth 472 milionë lekë, duke i shkaktuar kështu një dëm monetar dhe financiar shtetit Shqiptar në vlerën rreth 2 milion Euro.
Dyshohet se në këtë veprimtari kriminale janë të përfshirë persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionarë të administratës shtetërore, për të cilat vazhdojnë hetimet dhe veprimet proceduriale për të dokumentuar të gjithë veprimtarin kriminale. Ky aktivitet kriminal dyshohet që shtrihet edhe në shtetin Italian, aty ku edhe operojnë përfituesit kryesorë, të cilët janë subjekte që përfitojnë të gjithë vlerën e shërbimeve të dyshuara fiktive të konsulencës, e cila përllogaritet mbi 6 milionë euro. Hetimet pritet te shtrihen edhe në shtetin fqinj.