Mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, ose 59 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Shifrat janë bërë publike nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
1.07 milionë vizitorë në janar-shkurt
734.666 vizitorë në mars 2024
Sipas këtyre statistikave të sapo publikuara, muaji Mars shënoi një rekord të ri të flukseve hyrëse turistike prej gati 735 mijë vizitorësh të huaj ose 91% më shumë krahasuar me marsin e vitit të shkuar.
Sipas ministres së Turizmit muaji mars sapo shënjoi një standard të ri në shifra e duhet t’i përgjigjemi me të njëjtin standard në mikpritje.
Një ditë më parë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit nga panairi Ndërkombëtar i Turizmit nënvizoi se sfida tashmë nuk janë numrat, por garantimi i standardeve, cilësisë dhe turizmi elitar.
Java që vjen nis me një ngjarje të rëndësishme për turizmin, siç është takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania”.
Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një event të Organizatës Botërore të Turizmit. Këtë vit objektivi i qeverisë shqiptare është të presë mbi 14 milionë turistë.