Natyra e ka bekuar Shqipërinë. Një ndër dhuratat më bujare të saj është sherebela, një bimë plot aromë dhe me shije pak të hidhur që rritet gjithë vitin.
Sherebela është një nga bimët mjekësore më të rëndësishme të vendit dhe mjaft e kërkuar në tregjet e huaja.
Atë mund ta mbillni lehtësisht në shtëpi nëse plotësoni tre kushtet e vetme:
- ndriçim të mjaftueshëm nga dielli,
- sistem kullimi të mirë
- shumë ajër të pastër.
Sherebela mund t’i mbijetojë edhe temperaturave nën zero gradë. Me ngjyrat e këndshme të vjollcës, rozës, blusë dhe të bardhës, lulet e sherebelës i japin mjaft hijeshi kopshteve dhe ballkoneve tuaja.
Si të mbillni e të rrisni sherebelën në vazo
Rritja e sherebelës nis nga farat ose fidanët.
Ju mund t’i blini ato të freskëta ose të merrni një fidan të gatshëm dhe ta kultivoni në kopshtin tuaj ose në saksitë dhe vazot e ballkonit.
Farat ose fidanët e sherebelës mund t’i gjeni nëpër farmacitë bujqësore, por duhet të kërkoni garanci që të merrni farën ose fidanët shqiptarë pasi janë shumë cilësore.
Ujitja
Dheu duhet të jetë i pasur me pleh. Vazoja duhet të ketë një sistem të mirë kullimi. Në dhe’ mund të përfshini edhe dy-tre grushta rërë me pleh organik.
Ai do të jetë shumë i shkrifët, i lehtë dhe me një kullim të përshtatshëm.
Kur fidanët janë të vegjël, duhen vaditur rregullisht që dheu të jetë i lagësht, por kur bima është rritur mjaftueshëm, duhet ta ujisni vetëm kur dheu rreth bimës thahet.
Ndriçimi
Bima e sherebelës duhet të jetë gjithë kohën nën rrezet e diellit, por ajo arrin të mbijetojë edhe në hije ose në zona tepër të nxehta.
Krasitja
Kërcenjtë e sherebelës duhen krasitur në fillim të pranverës pasi ka kaluar rreziku i ngricave por përpara rritjes së plotë.
Krasitja bëhet në çdo degë duke e prerë një të tretën e saj me gërshërë në mënyrë të pjerrët.
Mbledhja
Tregohuni të kujdesshëm në vitin e parë. Niseni vetëm me mbledhjen e gjetheve dhe në vazhdim mund të prisni kërcenj të plotë.
Sherebela juaj do të arrijë pikun përpara lulëzimit të luleve në mes të verës.
Tharja
Sherebela është një barishtet e pakta që lëshon aromën e plotë atëherë kur thahet.
Megjithatë, sherebela duhet tharë shumë shpejt që aroma e saj të mos ketë pësojë humbje.
Tufat e sherebelës lidhini së bashku dhe varini kokëposhtë në një vend të ngrohtë, por të ajrosur dhe mbajeni larg rrezeve të drejtpërdrejta të diellit.
Përdorimi në kuzhinë
Në variantin e tharë, sherebelën mund ta përdorni për marinim, por edhe si shoqëruese të mishit të shpendëve, mishit të kuq, peshkut, salçiçe apo produkte të tjera të mishit.
Përdorimi tjetër është si çaj bimor nga i cili përftohet një shije speciale si në variantin e ngrohtë dhe në atë të ftohtë sidomos nëse shton paksa mjaltë artizanal shqiptar.
Sherebela rritet mirë kur mbillet me bimë të tjera që rriten gjthë vitin siç është trumza, rigoni dhe majdanozi.