Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka komentuar për dështimin e procesit të votimit për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri pas thirrjes së Listës Serbe dhe Beogradit zyrtar për bojkot nga ana e qytetarëve.
Një zëdhënësi të ambasadës së SHBA-së ka thënë se votimi i djeshëm u kërkua si rezultat i përpjekjeve të suksesshme nismëtare të bëra nga qytetarët brenda kuadrit ligjor ekzistues dhe të vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ai ka thënë se qëndrimi i SHBA-së ndaj Kosovës mbetet i qartë dhe i pandryshuar.
“Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova mbajti një votim për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Për më tepër, ai ka përkujtuar se vendet e Quint-it dhe BE-ja i kanë bërë thirrje Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës më 10 prill që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre për t’u tërhequr nga pjesëmarrja në këtë votim ligjor për tërheqjen e kryetarëve.
“Na vjen keq që ata nuk e bënë një gjë të tillë dhe për këtë arsye nuk i shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike në dispozicion të tyre sipas ligjit kosovar për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese. Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, ka thënë zëdhënësi i ambasadës.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj kanë ndjekur nga afër procesin e votimit në katër komunat në veri duke përkujtuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u bëri thirrje të gjithë votuesve me të drejtë vote dhe se ata vlerësojnë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhorë kosovarë për të lejuar të gjithë qytetarët kosovarë të regjistruar në katër komunat të marrin pjesë në këtë proces demokratik.