Ligjvënësit amerikanë kanë miratuar një projektligj sipas të cilit aplikacioni i njohur TikTok ose duhet të shkëputet nga kompania kineze ByteDance që e ka në pronësi, ose të shesë asetet që të vazhdojë të përdoret në Shtetet e Bashkuara.
Masa vjen mes shqetësimeve se firma kineze mund të përbëjë një kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA. Projektligji dypartiak i jep TikTok-ut gjashtë muaj kohë për t’u shkëputur dhe nëse kalon në Senat kjo do të çonte në një ndalim të këtij aplikacioni në të gjithë SHBA-në.
Nuk është hera e parë që SHBA përpiqet të godasë TikTok. Në vitin 2020, një përpjekje e ish-presidentit Donald Trump për të ndaluar aplikacionin u bllokua nga gjykatat pasi TikTok e paditi, duke përmendur shqetësimet e fjalës së lirë.
Megjithatë, kritikët kanë thënë se nëse projektligjet kalojnë në Senat, ka të ngjarë të kundërshtohen për vite në gjykata mbi bazën e mbrojtjes së fjalës së lirë të sanksionuar në Kushtetutën e SHBA. TikTok ka mohuar me forcë çdo lidhje me qeverinë kineze.