Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur përmes një njoftimi se presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka vendosur ta zgjasë emergjencën kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor të paktën deri më 26 qershor të vitit 2024.
Kjo emergjencë ishte shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001, por Biden në një deklaratë të lëshuar, bëri të ditur se ajo do të zgjatet për shkak të situatës në Ballkanin Perëndimor.
Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë thuhet se veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor dhe situata aktuale në këtë rajon, paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
“Për këtë arsye kam përcaktuar se është e nevojshme të vazhdohet emergjenca kombëtare e shpallur me urdhër ekzekutiv lidhur me Ballkanin Perëndimor”, thuhet në mesazhin e Bidenit për Kongresin amerikan.
Më 8 qershor të vitit 2021, SHBA-ja kishte zgjeruar fushëveprimit e kësaj emergjence kombëtare, pasi që u tha se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur, gjatë dy dekadave të fundit, me korrupsion dhe veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës.