Ndryshimi në pankinë nuk sjell frytet e duhura tek Chelsea. Blutë e Londrës shpërdoruan mundësinë për tu rikthyer tek fitorja, pasi u ndalën në barazim pa gola 0-0 ndaj Liverpool. Në duelin e prapambetur të javës së 8-të të Premier League, dy ekipet menduan më shumë për tu mbrojtur se sulmuar, duke u kënaqur me nga një pikë. Chelsea ishte më kërkuese, por edhe dy momente që topi shkoi në rrjetë, sistemi VAR prishi festën.
“Krijuam mjaft raste për të fituar ndeshjen. Djemtë dhanë gjithçka, luajtën me zemër dhe nuk mund të kërkojmë më shumë’’, u shpreh trajneri i Chelsea, Bruno Saltor.
“Një barazim që vlen shumë për vazhdimësinë. Pika e marrë ndaj Çelsit nuk ishte spektakolare,por loja pas humbjes me Sitin më pëlqeu. Është një hap i vogël, por në drejtimin e duhur’’, tha trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp.
Dueli i katërt radhazi pa gola mes dy skuadrave, diçka që ndodh për herë të tretë tek ekipet angleze. Londinezët kanë treguar brishtësi në repartin e sulmit, duke shënuar 29 gola në po kaq ndeshje të kampionatit. Barazimi e lë Liverpool-in në vendin e tetë në tabelën e renditjes, shtatë pikë pas Tottenham Hotspur në vendin e katërt, pozicion që e kualifikon në Champions league. Ndërkohë, Blutë qëndrojnë në vendin e 11-të.