Kancelari Olaf Scholz gjatë fjalës së tij në Parlamentin gjerman për Samitin e BE-së në Bruksel, i bëri thirrje vendeve të tjera për më shumë mbështetje për Ballkanin Perëndimor.
Scholz tha se prej 20 vjetësh, vende si Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia janë në pritje për t’u bërë pjesë e BE-së dhe shtoi se tani ka ardhur koha që të gjithë të shohin panoramën e përgjithshme, si kandidatët, ashtu edhe vendet anëtare të BE-së.
Scholz theksoi se ky është shansi historik për të lidhur përfundimisht rajonin me Europën dhe për t’ia lënë të kaluarës problemet e së kaluarës.
“Nuk ka pse çdo vendim, si çelja apo mbyllja e kapitujve të negociatave, të varet nga çdo vend anëtar. Nëse vende, si për shembull Shqipëria, kanë bërë reforma të rëndësishme, kjo duhet të vlerësohet. Përndryshe, rrezikohet të dëmtohet i gjithë procesi i anëtarësimit dhe këtë nuk duhet ta lejojmë”, tha kancelari gjerman.