Ernejt Shyti, bashkëpunëtor i drejtësisë në dosjen ndaj të akuzuarve për vrasjen e Behar Sofias, ka dhënë detaje para Gjykatës së Posaçme se si ishte porositur për vrasjen dhe kryerjen e krimit.
Shyti ka rrëfyer se përveç Sofias, kishte marrë porosi edhe për dy vrasje të tjera, për të cilat nuk ishin vënë në dispozicion as fotografi dhe as emër.
“Për asnjërin nuk kisha as emër as fotografi. Xhuljano Vishaj më kishte porositur, por pa më dhënë detaje. Për vrasjen në Kamëz më kishte thënë që do e kryente vetë, ndërsa atë në Gjermani do e kryeja unë përkundrejt 500 mijë eurove”, tha ai.
Sipas Shytit, pasi vuri në shënjestër 66-vjeçarin Sofia, kishte studiuar për një muaj lëvizjet e tij deri ditën e ngjarjes, për realizimin e së cilës i ishin premtuar 50 milionë lekë të vjetër.
“Disa ditë para ngjarjes, e kam ndjekur Behar Sofinë nga Piramida deri tek ish-ekspozita. E identifikova por nuk e kreva dot vrasjen. Atentatin ndaj Behar Sofisë e bëra për 50 milion lekë, paratë nuk i mora asnjëherë, pavarësisht se Xhuljano Visha më kishte thënë se do t’i merrja 3 ditë pas ngjarjes. Bujar Lezën e kam takuar për biçikletën, me Xhuljano Vishën, më pas më ka pyetur edhe nëse do i ndërroja rrobat kur të kryeja ekzekutimin. Mësova se Bujari i kishte thënë Xhulios se edhe armën e kishte gjetur. Vrasjen më tha Visha do e bënte për hasmëri, por se për çfarë dhe nga kush ishte porositur nuk e di. Ditën e krimit, nuk mu shkrep arma, e mbusha dhe pastaj qëllova dy herë. Skënder Vathi do më merrte te Liqeni Artificial, por nuk erdhi. Kam ikur drejt Malit të Zi me vëllain dhe Xhuljano Vishën, nuk kemi ndaluar askund as për të ngrënë. Për komunikim me anëtarët e grupit, kisha një telefon të markës “Iphone” që ma dha Xhuljano Visha të cilit ia ktheva dhe një “Nokia” që ma dha Leonard Xhixha. Ky i fundit, kur kam kryer vrasjen, ka qenë duke vëzhguar shenjestrën, kur kaloi te trotuari, më ka thënë se jam këtu afër dhe se po shkonte te lokali”, u shpreh Shytaj.